Насловна

Manifest qytatar për Maqedoni Evropiane

pdf Manifest qytatar për Maqedoni Evropiane

 

 

Të nderuar qytetare dhe qytetarë Ju që dëshironi të jetoni në Maqedoni evropiane, dhe jo në njëfarë lloj Maqedonie neolite, biblike apo antike, bashkohuni me ne në luftën kundër pushtuesve të arsyes dhe vetëdijes sonë!

Lufta jonë është për rinovimin e nderit të qytetarëve. Lufta jonë është kundër politikanëve që flasin për evropeizim dhe luftë kundër korrupsionit, kurse zbatojnë bukefalizim dhe mediume, gjykatës, akademikë dhe rektorë të korruptuar. Lufta jonë është kundër demokratëve mashtrues që vendosin prapa dyerve të mbyllura. Lufta jonë është kundër atyre që paguhen prej popullit të cilët katedralen e demokracisë e kthyen në turp të demokracisë! Lufta jonë është kundër pushtetmbajtësve të cilët çdo ditë e keqpërdorin emrin Maqedoni për interesa personale, familjare dhe partiake. Lufta jonë është kundër luftëtarëve mashtrues për emrin dhe identitetin të cilët u japin argumente nacionalistëve grekë, kurse ne na kthejnë në të burgosur të urrjetjes ndaj të gjithë grekërve. Ata janë të njëjtët “luftëtarë” që shfaqen si dëshmimtarë grekë në vendimet gjyqësore kundër shtetit tonë, kurse gjobat prej miliona të hollash i paguajmë të gjithë ne.

Të dashur qytetarë dhe qytetare
Ne nuk jemi naiv! Ne nuk pimë naftë “greke” dhe as qumësht “suedez” prej lopëve vendase! E dimë se çfarë duam dhe çfarë nuk duam. Dhe kemi të drejtë të luftojmë kundër të gjithë atyre që e bëjnë të pamundur integrimin tonë në BE.

Nuk duam Maqedoni të izoluar dhe të provincializuar. Duam shtet ku do të mbizotërojë e drejta dhe jo despotizmi partiak. Duam shtet në të cilin qytetarët dhe qytetaret do të mund të zgjedhin dhe të zgjidhen lirshëm pa frikë se do t’i qëllojë plumb në vendvotim.
Nuk duam shtet në të cilin mjetet e buxhetit shpenzohen për reklamim partiak dhe për manipulim me opinionin dhe jo për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Mjaft më me pronarë të korruptuar të mediumeve dhe me gazetarë të trembur e të dëgjueshëm. Mjaf më për megafonët partiak të cilët na helmojnë me teori puçesh, çdo ditë hanë burrek dhe, në emër të popullit, gjunjëzohen para “udhëheqësit”. Nuk duam të paguajmë shfaqje në 100 hapa dhe as rilindje në 100 fushata! Nuk duam që buxheti i policisë së fshehtë të jetë më i madh se buxheti për zvogëlim të varfërisë dhe papunësisë. Nuk duam që administrata publike në vend që t’u shërbejë qytetarëve t’u shërbejë shërbyesve partiakë.  Nuk duam kulturë politike të shndëruar në instrument të manipulimit politik dhe të demagogjisë nacionaliste. Nuk duam që Shkupi nga metropol i kulturës të jetë nekropol i kiçit!

Të nderuar qytetare dhe qytetarë
Nuk meritojmë politikanë për të cilët të rinjtë, studentët, bujqit, falimentuesit dhe pensionistët të jenë vetëm “grupe të qëllimit”. Nuk meritojmë të jetojmë me frikën e “araçit” me të cilin në mënyrë drakonike dënohen thyerjet e lehta të qetësisë dhe rendit publik. Nuk meritojmë pushtet të cilin e duartrokasin shoqatat joqeveritare të financuara nga pushteti. Nuk meritojmë pushtet i cili para kamerave mbjell pemë që nuk zenë rrënjë dhe nuk çelin gjethe. Nuk meritojmë kamera në spitale dhe dhomat spitalore të cilat nuk i plotësojnë as standardet e burgjeve. Nuk duam pushtet i cili na hyn në dhomat e gjumit dhe i ndan gratë në “fëmijë vrasëse” dhe “fëmijë lindëse”.

Nuk na duhet pushtet i cili harxhon 10 milionë euro në single dhe përkujtimore që të na bindë se ne jemi ata që jemi dhe se do të jemi ajo që pushteti mendon se duhet të jemi. Nuk na duhet pushtet i cili flet për bashkim nacional, ndërsa krijon përçarje të reja nacionale dhe fetare. Nuk na duhet pushtet pas patriotizmit të së cilit fshihet egoizmi, krenaria, dëshira për pushtet, pasuri.

Të nderuar qytetare dhe qytetarë të Maqedonisë Evropiane!
Lufta jonë është luftë për bashkim qytetar të ndërtuar mbi parimet të cilat i tejkalojnë pasionet etnike. Lufta jonë është për shoqëri demokratike në të cilën mbartës i suverenitetit do të jetë qytetari dhe jo kolektivët etnikë, fetarë dhe partiakë të kontrolluar prej udhëheqësve. Ata udhëheqin me ne në atë mënyrë që në vend të ndërtojnë ura – hapin gremina.

Me mendje dhe shpirt bashkohuni me ne në ekspeditën drejt Maqedonisë Evropiane!
Të jetojë Maqedonia Evropiane

Shkup, më 1 shkurt 2009