Насловна

KUNDËR HESHTJES

Е-пошта Печати PDF
Hap pas hapi nga Maqedonia bënë një truall të frytshëm për rilindjen e fashizmit. Ndaluan që të kritikohet publikisht pushteti. Nxorën në pah formacione para-policore. Nxitën ksenofobinë, racizmin dhe mos durimin ndaj të margjinalizuarve. Zhvilluan kult të prejardhjes së pastër gjenetike etnike. Gruan e shpallën makinë për lindje. Helmojnë me teori konspirative. Fajtorë kujdestarë janë grekët e mallkuar, Evropa lavire, Perëndimi i padrejtë, “komunjarët”, “lobi vlleh”, ndërsa tani edhe Fuere. Propaganda shtetërore u bë instrument për kontrollin e masave. E anatemuan individualitetin dhe të menduarit kritik. Mbjellin farën e ndarjeve dhe konflikteve të reja. E mbështjellën vendin me frikë.

Maqedonia vuan nga bajraktari i çmendur i cili u shpall si “shpresa e fundit për Maqedoninë”. Maqedonia vuan nga “familja” dhe nga kamarila e VMRO-s të cilët e ushqejnë megalomaninë e bajraktarit dhe zhgënjimet e popullit që të munden ta plaçkitin. Plaçkitin dhe transferojnë jashtë. Por, Maqedonia më shumë vuan nga ata të cilët heshtin dhe janë statik në filmin memec “Rilindja”. Kinse “qytetarë”, koten nëpër kafene dhe heshtin. Vëzhgojnë si “rilindja” shndërrohet në “rrënim”. Fashistët janë rreth nesh, ku janë kundër-fashistët?

Heshtin biznesmenët. Heshtin për nacionalizimet e reja. Heshtin për punën me autobusët dykatësh kinez. Heshtin për plaçkitjen në “Swedmilk”. Heshtin për helikopterët. Heshtin për rrymën. Heshtin për tenderët. Heshtin dhe së koti shpresojnë se treshet zhvatëse nuk do tu trokasin në derë. E ata trokasin çdo ditë. Zhvatin, dënojnë dhe konfiskojnë.

Heshtin intelektualët. Heshtin profesorë, mjekë, shkrimtarë, gazetarë, arkitektë, artistë, komandantë dhe episkopë. Heshtin si peshk. Dhe shpresojnë të fitojnë tenderë. Paskan pasur karriera dhe familje. Bashkëpunëtorë, kolaboracionist, kuislingë. Në vend që të bërtasin – murmurojnë. Murmurojnë kur e kritikojnë, bërtasin kur e lavdërojnë pushtetin e gruevistëve.

Kur një grup harbutësh u orvat ta pamundëson promovimin e fjalorit greko-maqedonas, ata ishin njëzëri dhe publikisht të etiketuar si fashistë, neonacistë dhe vandalë. Politikanët, intelektualët dhe gazetarët garonin në kërkesat e tyre për tu gjetur dhe dënuar harbutët. “Shpresa e ynë e fundit” vlerësoi se bëhet fjalë për problem të madh të demokracisë greke. Kur një grup harbutësh maqedonas e pamundësuan tribunën e “gemixhiëve” në Strugë, nuk pati dënim të njëzëshëm se penguesit janë fashistë, neonacistë apo vandalë. Askush publikisht nuk pyeti ku ka qenë policia ta pengon dhunën. Ndërsa kur turma e çmendur “spontanisht” e ndërpreu protestën e qetë në sheshin e Shkupit, vlerësimet se bëhet fjalë për akt fashist u kritikuan si politikisht jokorekte dhe të tepruara.

“Sorosoidë”, “tradhtarë”, “mercenarë”, “homoseksualë”, këto fjalë u konvenojnë veshëve të sehir shikuesve, por “fashistë” – kjo është e palejueshme! I vë në depresion rrahësit dhe ua idhëton kafen atyre që heshtin.  

Është e qartë, standardet e dyfishta u bënë legjitime tek ne. Atë që në Greqi e njohim si fashizëm tek ne e kremtojmë si patriotizëm. Maqedonia u bë shtet i dhunshëm. Institucionet shtetërore mbrojnë anën e dhunuesve. Avokati i popullit është i verbër duke pasur sy, ndërsa Kuvendi i mbuloi me hi konkluzionet e komisionit të vet për të drejtat e njeriut. MPB-ja shkoi akoma më larg. Po të mos ishte tmerrshëm tragjike do të qeshnim me padinë kundër organizatorëve të protestës të cilët kanë qenë fajtorë sepse me “sharje, bërtitje dhe sjellje të pahijshme” e kanë prishur rendin dhe qetësinë publike. Në fund do të del se dhunuesit i kanë rrahur protestuesit në emër të rendit dhe qetësisë publike!             

Të gjithë ata të cilët publikisht u zotuan për kompromis në kontestin me emrin e shtetit, duke na përfshirë edhe neve “gemixhiëve”, të gjithë ata nga ana e gruevistëve u shpallën tradhtarë dhe mercenarë. Por shih çudi nuk kaloi shumë kohë dhe kryetari gruevist i shtetit u zotua për një “kompromis të arsyeshëm”, por megafonat e regjimit nuk e shpallën tradhtarë. Qetë e pranuan zgjuarsinë e vonuar të Ivanovit. U radhitën në pajtim me direktivën e nënshkruar nga genseku i VMRO-DPMNE për atë se duhet ta përgatisin popullin për të paevitueshmen. Pasi që me muaj e rrejtën popullin duke e ruajtur pafajësinë e bajraktarit!

Sa dot na kushton neve rilindja e “zgjeruar dhe e shtuar”? A do të del një trim i cili do ta llogaritën dëmin financiar dhe politik? Falimentimin financiar, politik dhe moral të Maqedonisë? Kush do ta definon përgjegjësinë e pjesëmarrësve dhe bashkëpjesëmarrësve në plaçkitjen e kamufluar si patriotizëm? Shtrembëruesi i parë “rilindës” i së vërtetës, e më vonë edhe vice-premier për çështje evropiane dha dorëheqje dhe u zhduk. Iku nga përgjegjësia për gënjeshtrat e deridjeshme dhe për debaklin dhe falimentimin që na pret në vjeshtë. Vallë sa do të jetë lista e të ikurve nga anija “rilindëse”?

A do të ngelë vallë dikush për ta orkestruar këndimin në kor për zgjuarsinë e bajraktarit, me të cilin askush nuk është i barabartë, veç Zotit dhe Lekës, pasi të fundoset Titaniku i ynë dhe ne së bashku me të?  

Shkup, 8 korrik 2009